
Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2023
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten në një konferencë për media shpalosi rezultatet e auditimit në nivel vendi për vitin 2023.
Ajo bëri më dije se deri tani janë kryer dhe publikuar 115 raporte të auditimit, prej tyre 85 për Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të Organizatave Buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe tetë auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit. Po ashtu në kuadër të planit janë audituar edhe nëntë projekte të donatorëve.
Spanca theksoi se procesi i auditimit ka evidentuar mangësi në shumicën e institucioneve në fushën e raportimit financiar po ashtu edhe në kuadrin e pajtueshmërisë ligjore. ZKA-ja ka dhënë 63 opinione të pamodifikuara, 40 të kualifikuara si dhe katër opinione të kundërta.
“Prej 47 OB të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara që do të thotë që cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtetë. Kjo për faktin se OB kanë keqklasifikuar shpenzimet, kanë mbivlerësuar apo nënvlerësuar pasuritë dhe detyrimet kontingjente dhe janë identifikuar edhe çështje të tjera që kanë ndikim në opinion”, deklaroi Spanca, duke shtuar se për 47 organizatat e nivelit qendror janë dhënë 34 konkluzione të pamodifikuara, që do të thotë se këto organizata kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me kornizën ligjore, ndërsa për 13 institucione është dhënë konkluzion i kualifikuar për faktin se jo të gjitha aktivitetet janë kryer në pajtueshmëri me kornizën ligjore.
Sa i përket auditimit të 38 komunave, përfshirë këtu edhe katër komunat në pjesën veriore të Kosovës ZKA-ja ka dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara.
“Arsyet për modifikimin e opinionit të auditimit në këto komuna janë se ato kanë keqklasifikuar shpenzimet, regjistrimet dhe raportimet e pasurive jo financiare ishin jo të plota dhe të sakta, detyrimet të papaguara, detyrimet kontingjente dhe llogaritë e arkëtueshme po ashtu ishin të pasakta”, tha ajo.
Përderisa, sa i përket mendimit nëse komunat kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi, për tri komuna është dhënë konkluzion pozitiv, për 33 të tjera konkluzion i kualifikuar që do të thotë se jo të gjitha aktivitet komunave ishin udhëhequr dhe kryer në pajtueshmëri me kornizën ligjore.
Ndërsa për komunën e Prishtinës dhe Vushtrrisë për herë të parë ZKA-ja ka dhënë konkluzion të kundërt meqë këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin. Mangësitë e identifikuara ishin materiale dhe të përhapura në secilën kategori të shpenzimeve.
Kurse sa i përket 12 ndërmarrjeve publike dhe RTK-së, ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë prej tyre, për katër të tjera opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion të pamodifikuar. Këtë vit tri ndërmarrje publike janë audituar për herë të parë nga ZKA, si: Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A.
Ndërsa, sa i përket mendimit lidhur me pajtueshmërinë me kornizën ligjore për 13 NP përfshirë RTK-në janë dhënë 10 konkluzione të kualifikuara që do të thotë se jo të gjitha aktivitetet ishin udhëhequr në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe vetëm për Trepçën është dhënë konkluzion i kundërt, ndërsa për Ibër Lepencin dhe Infrakosin është dhënë konkluzion pozitiv.
Rezultat e auditimit në Trepçë kanë treguar se kjo ndërmarrje ka nevojë të domosdoshme të forcoj kontrollet në raportimin financiar dhe udhëheqjen e aktiviteteve në pajtueshmëri me ligjet, pasi që është dhënë mendim i kundërt edhe për PVF-të edhe për pajtueshmërinë me kornizën ligjore.