Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe ndërmarrja “Prishtina Parking”

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe ndërmarrja “Prishtina Parking”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për sezonin auditues 2023/2024 është duke e kryer auditimin e perfomancës “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking’”.

Procesit të këtij auditimi do t’i nënshtrohet Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Inspektim dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” e cila ka rol të rëndësishëm në organizimin, rregullimin dhe menaxhimin parkimeve publike në qytetin e Prishtinës.

Auditimi do të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve për qytetarët, ofruar nga NPL “Prishtina Parking”, si dhe masat dhe veprimet në menaxhimin e parkingjeve dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Komunës së Prishtinës dhe Policinë e Kosovës.

Fokusi i këtij auditimi do të jetë: Nëse “Prishtina Parking” ka bërë shënjimin e parkingjeve për qytetarët dhe ka informuar ata për mënyrat dhe format e parkimit në qytet, si dhe ka siguruar disponueshmëri të parkingjeve, qasje të barabartë për të gjithë duke vendosur në prioritetet banorët rezidentë; Nëse “Prishtina Parking” ka siguruar forma të duhura të informimit të qytetarëve, të nevojshme dhe të lehta për të paguar qytetarët për shfrytëzimin e këtyre parkimeve, si dhe nëse ka siguruar një sistem të mirëfilltë dhe të sigurtë të pagesave të parkimeve me laura duke shmangur keqpërdorimet nga zyrtarët e ndërmarrjes; Nëse ka një bashkëpunim të duhur me Komunës e Prishtinës, më konkretisht me Inspektoratin për përcjelljen dhe inspektimin e parkimeve të cilat shfrytëzohen nga qytetarët; si dhe nëse ka arritur të ndërtojë një sistem bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës për mbarëvajtjen e parkimit të veturave në qytet duke synuar një organizim më të mirë.

Duke marrë parasysh rëndësinë e menaxhimit të parkimeve në qytetin e Prishtinës, të stërngarkuar nga veturat, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes, nëse “Prishtina Parking” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë sistem të mirëfilltë të ofrimit të parkimeve për qytetarët dhe janë duke e menaxhuar atë në mënyrën e duhur dhe efektive.