
ATK shënon 26-vjetorin e themelimit Roli kyç në qeverisjen e mirë dhe drejtësinë fiskale
Administrata Tatimore e Kosovës shënoi 26-vjetorin e themelimit përmes një konference tematike, me pjesëmarrjen e ish-punonjësve të ATK-së, drejtuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësuesve të bizneseve dhe shoqërisë civile.
Konferenca u hap nga Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, dhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni.
Zëvendësministri Dobruna theksoi rolin e ATK-së si një shtyllë kyçe të qeverisjes së mirë dhe drejtësisë fiskale, duke vlerësuar progresin e jashtëzakonshëm në digjitalizim, efikasitet dhe transparencë.
Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni, rikujtoi rrugëtimin 26-vjeçar të ATK-së dhe prezantoi vizionin ATK 2030, i cili synon një qasje të re ndaj tatimpaguesve dhe bizneseve, të bazuar në edukim, partneritet dhe besim të ndërsjellë.
Digjitalizimi dhe inovacioni teknologjik do të mbeten shtylla kryesore e reformave, përmes zgjerimit të shërbimeve elektronike dhe automatizimit të proceseve.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe forcimit të kapaciteteve njerëzore, përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe rritjes së stafit me profesionistë të rinj, të kualifikuar dhe me vizion modern.
ATK mbetet e përkushtuar që deri në vitin 2030 të jetë një administratë tatimore moderne, inovative dhe e besueshme, në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe drejtësisë fiskale në Republikën e Kosovës.
