ASK-ja: Mbi 78 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë

ASK-ja: Mbi 78 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2024, ku theksohet se rreth dy të tretat e popullsisë së vendit – 1 milion e 74 mijë e 704 persona – janë në moshë pune.

Megjithatë, shkalla e personave joaktivë në këtë grup mbetet e lartë, duke arritur në 57%.

Në raportin e ASK-së theksohet se numri i qytetarëve joaktivë të moshës 15 deri 64 vjeç ka rënë në 613 mijë e 29, nga 700 mijë e 565 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga ASK është fakti se 78 mijë e 457 të rinj nuk janë të përfshirë as në shkollim, as në trajnime dhe as në punë.

Në anën tjetër, numri i të punësuarve për këtë periudhë është 412 mijë e 482 persona, duke shënuar një rënie krahasuar me 420 mijë e 150 të punësuar në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Po ashtu, numri i personave të papunë ka rënë në 49 mijë e 194, që është 1 mijë e 193 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

ASK vë në dukje se, ndonëse shkalla e joaktivitetit është ende e lartë, ajo ka pësuar një rënie prej 2.8% krahasuar me vitin e kaluar.

Më shqetësues mbetet fakti që kjo shkallë është veçanërisht e lartë tek femrat, ku arrin në 75%, ndërsa tek meshkujt është 39.1%.