As përpjekja e 19-të nuk e zhbllokon Kuvendin e Kosovës

As përpjekja e 19-të nuk e zhbllokon Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të nëntëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Të mërkurën, ligjbërësit refuzuan për të njëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.

Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i LV-së, Albin Kurti, ngulmoi se kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit është vendim i partisë dhe se ajo nuk do të tërhiqet.