
Arritje historike / Astrit Hasani zgjidhet president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF)
Dr. Astrit Hasani është zgjedhur sot President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në Kongresin Zgjedhor të EWF të mbajtur në Chisinau të Moldavisë. Ai ka fituar kundër Presidentit të deritanishëm të EWF italianit me nënshtetësi të Moldavisë Antonio Conflittit.
Dr. Hasani bëhet Presidenti i parë shqiptar i ndonjë Federate Evropiane.
Dr. Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, ishte arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes që nga viti 2016.
Hasani ka një shkollim superior me magjistraturë në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit dhe doktoraturën në Universitetin e Varshavës. Është i njohur në Federatën Botërore të Peshëngritjes për qëndrimin e tij që sporti është mbi politikën.
Krahas tyre, i ishte besuar pozita e CEO-së për organizimin e Kongresit Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, të mbajtur në vitin 2022 në Tiranë të Shqipërisë, organizim që më vonë organizata “Albanian Excellence” i dha çmimin “The Grand Excellence Award”.
Po ashtu, për shkak të kontributit në peshëngritjen evropiane, vitin e kaluar në Varshavë të Polonisë në Kongresin Evropian, pranoi çmimin e madh evropian “Ylli i Artë”.
Si kandidat për 𝐩𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭 të Federatës Evropiane të Peshëngritjes Dr. Hasani kishte mbështetje të plotë nga KOK-u dhe KOKSH-i. Ai është edhe këshilltar i KOK-ut, i emëruar muaj më parë pas Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut.