Arrestohen tre persona për posedim të substancave narkotike
Sot njësitet policore në Mitrovicë dhe Skenderaj, në tri raste të ndryshme kanë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Arrestimi i dy të dyshuarve shtetas të Republikës së Kosovës është realizuar në Skenderaj, ku gjatë kontrollit të detajuar tek dy të dyshuarit është gjetur substancë e dyshuar narkotike në sasi prej 1.9 gram dhe 2.0 gram.
Ndërsa, arrestimi i të dyshuarit të tretë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është realizuar në Mitrovicë, ku gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit është gjetur substancë e dyshuar narkotike ne sasi prej 9.1 gram dhe një mulli për bluarjen e substancave narkotike.
Ndaj tre të dyshuarve, pas intervistimit janë iniciuar raste për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.