Arrestohen dy persona për “spiunazh”

Arrestohen dy persona për “spiunazh”

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se janë arrestuar dy persona të dyshuar për “spiunazh”.

Në një njoftim për media, Prokuroria tha se dy shtetasit kosovarë u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.

“Sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ata janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Prokuroria tha se ndaj tyre do t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.
Nuk u dhanë hollësi të tjera rreth këtij rasti.