Arijon Ibrahimovic takohet me Zlatanin, ka një koment të veçantë për ish-sulmuesin

Arijon Ibrahimovic takohet me Zlatanin, ka një koment të veçantë për ish-sulmuesin

Arijon Ibrahimovic u shpreh i lumtur që njohu nga afër ish-sulmuesin, Zlatan Ibrahimovic.

Ai bëri një fotografi me ish-reprezentuesin e Suedisë pas ndeshjes së zhvilluar sonte, mes Frosinones dhe Milanit, e fituar nga “Rossonerët” me rezultatin 2:3, shkruan Gazeta Express.

“Kënaqësi që u njohëm, legjendë”, shkroi Arijoni në fotografinë e publikuar në “Instagram”.

Përveç mbiemrit dhe futbollit, nuk besohet se ka diçka tjetër që i lidh Arijonin dhe Zlatanin.

18-vjeçari është me prejardhje nga Kosova, por i lindur dhe i rritur në Gjermani. Ai ka shtetësi gjermane dhe deri më tani ka përfaqësuar Gjermaninë në arenën ndërkombëtare.

Sulmuesi iu bashkua Frosinones vitin e kaluar në formë huazimi nga Bayern Munichi. Në marrëveshje ekziston edhe opsioni i blerjes, që mund të shfrytëzohet nga klubi italian në fund të sezonit.

Si rrallëherë, në marrëveshje është përfshirë edhe një opsion tjetër blerjeje ose rikthimi, klauzolë e cila mund të shfrytëzohet në një të ardhme sërish nga Bayern Munichi, nëse fillimisht është shfrytëzuar nga Frosinone.