
Ankesa e PDK-së për fletëvotimet me postë shpallet e pasafatshme nga PZAP
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur të mos e shqyrtojë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me votat e ardhura me postë pas 29 dhjetorit 2025, duke e cilësuar atë si të paraqitur jashtë afatit ligjor.
Vendimi është marrë nga paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, të cilët kanë vlerësuar se ankesa nuk është dorëzuar brenda afatit 48-orësh të përcaktuar me ligj.
PDK kishte kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të urdhërohej të anulonte dhe të përjashtonte nga numërimi të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025, përfshirë edhe ato të ardhura më 2 dhe 5 janar 2026, në kuadër të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025, përcjell Klankosova.tv
“Hedhet e pasafatshme ankesa ZP.Anr.69/2025, e datës 08.01.2026, e parashtruar nga subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të anuloj të gjitha fletëvotimet të pranuara me postë pas datë 29.12.2025 dhe të përjashtoj nga numërimi të gjitha fletëvotimet të pranuara pas këtij afati përfshirë ato të pranuara me 02.01.2026 dhe 05.01.2026, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.
