Anglia në gjysmëfinale të Euro 2024
Përfundon ëndrra për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin e Ardon Jasharin me shokët e tyre për kualifikim historik në gjysmëfinale të Kampionatit Europian.
“Helvetikët” u mposhtën pas penalltive nga Anglia në çerekfinale, shkruan Gazeta Express.
Rezultati pas kohës së rregullt është i barabartë, 1:1.
Breel Embolo shënoi për epërsinë fillimisht të “helvetikëve” në minutën e 75-të.
Kurse, vetëm pesë minuta më pas, Bukayo Saka me gol të bukur barazoi shifrat.
Në vazhdime nuk pati gola, ndonëse Zvicra pati mundësi të mira shënimi.
Në fundin e ndeshjes, Xherdan Shaqiri e goditi shtyllën direkt nga rivënia këndore.
E në penallti, Anglia fitoi 5:4 me Akanjin i vetmi që e humbi penalltinë.
Nga 11-metërshi përgjegjësinë e mori edhe Xherdan Shaqiri, që u tregua i saktë.
Në gjysmëfinale, Anglia do të përballet me fituesin e përballjes mes Holandës dhe Turqisë.
Ndërkohë, për Zvicrën kjo ishte hera e dytë që u mposhtën në çerekfinale, dhe në të dy rastet pas penalltive.