Analisti Arton Demhasaj i bashkohet AAK-së, i hyn garës për deputet
Analisti Arton Demhasaj i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kjo u bë me dije në një konferencë për medie të hënën nga kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Demhasaj do të jetë pjesë e garës për deputet nga kjo parti.
Haradinaj u shpreh se Demhasaj ka dhënë kontribut të madh si pjesë e shoqërisë civile.
“Arton Demhasaj bashkohet me ne si kandidat për deputet. Ka punuar për 16 vjet si aktivist në shoqërinë civile. Ka qenë bursist i Ambasadës amerikane në programin për transparencë. Ka qenë i angazhuar për 10 vjet si analist në televizionet nacionale”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka theksuar se Demhasaj nga sot do të rrugëtoi me Aleancën për Kosovën fituese. “Duke e njohur për së afërmi z. Arton Demhasaj dhe familjen e tij ndihem i përmbushur që do rrugëtojmë së bashku drejt fitores! Të jam mirënjohës kryetar Haradinaj. Suksese Arton!”, ka shkruar Ramosaj në “Facebook”.
Ndërkaq Arton Demhasaj ka thënë se16 vite angazhim sistematik për kauzën publike në kuadër të shoqërisë civile, përbëjnë një kapitull kapital në jetën e tij.
“Përgjatë këtyre viteve, jam angazhuar dhe kam ecur përkrah qytetarëve, duke adresuar shqetësimet e tyre, si në sferën e drejtësisë, antikorrupsionit, mbrojtjes së ambientit dhe ekspozimit të abuzimeve që kanë renduar e cenuar atë çfarë e kemi të përbashkët: Kosovën”, është shprehur ai.
Dehmasaj ka theksuar se ky rrugëtim sfidues e njëkohësisht motivues, ka lënë gjurmë të mëdha e të pashlyeshme në formimin e tij, duke ndihmuar t’i kuptojë dinamikat e jetës sonë shoqërore, të cilat i ka bartur edhe gjatë debateve nëpër studiot televizive kombëtare.
“Megjithatë, përkundër se sfera e shoqërisë civile përbën një veprimtari fisnike, ndryshimi real që i duhet vendit ndodhë në kuadrin e asaj çfarë e përbën veprimtarinë politike. Prandaj sot, po nisë një rrugëtim të ri, tashmë me një kauzë politike, pranë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe nën lidershipin e Kryetarit Ramush Haradinaj, duke qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”, ka thënë Demhasaj.