Amerikanët zgjedhin mes Harrisit dhe Trumpit
Qytetarët amerikanë më 5 nëntor po votojnë në zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentes demokrate, Kamala Harris.
Zgjedhjet amerikane pritet të kenë implikime të mëdha për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, luftërat në Lindjen e Mesme dhe për çështje të tjera botërore, sikurse janë ndryshimet klimatike.
Qendrat e votimit u hapën në orën 05:00 (11:00 sipas kohës lokale në Kosovë) në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.
Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.
“Kjo mund të jetë gara më e ngushtë në historinë tonë, çdo votë ka rëndësi”, tha Harris gjatë përmbylljes së fushatës gjatë një tubimi në Filadelfi.