
Ambasadori rus në Beograd: Perëndimi dëshiron ta zëvendësojë Vuçiqin me një politikan të dobët
Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Në fakt, dëshira është të hiqet Vuçiqi dhe të vendoset një nga ‘liderët’, i cili do të ishte i njëjtë ose i ngjashëm me ata që janë formalisht në pushtet në vendet e tjera, por janë plotësisht të nënshtruar ndaj BE-së”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti, transmeton Rel.
I pyetur për këto deklarata të ambasadorit rus, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media tha se e falënderon diplomatin rus për “korrektësinë”.
Vuçiç u takua me Harcenkon më 21 gusht dhe pas këtij takimi njoftoi se një takim i nivelit të lartë mes udhëheqjes së Serbisë dhe Rusisë do të zhvillohet së shpejti.
“Theksova se mbetemi të përkushtuar për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, me një vendosmëri të qartë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi pas atij takimi Vuçiq.
