
Ambasadori britanik, përzgjedhësi Foda dhe personalitete të shumta në familjen Ademi për ngushëllime
Edhe sot në ditën e tretë të ngushëllimeve ka vazhduar mbështetja e madhe morale për presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pas ndarjes nga jeta të vëllait të tij, Bajram Ademi.
Sot, shumë personalitete nga fusha të ndryshme kanë qëndruar në familjen Ademi për t’i shprehur ngushëllimet e tyre, duke dëshmuar respektin dhe afërsinë e thellë që gëzon i pari i FFK-së në gjithë spektrin shoqëror, shkruan futbolli.info
Ndër vizitorët që sot kanë qëndruar për ngushëllime ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves. Ai u shpreh i nderuar që është pranë familjes Ademi në këtë moment të dhimbshëm, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta presidentit të FFK-së për humbjen e vëllait.
Po ashtu, sot në familjen Ademi për të ndarë dhimbjen ishin edhe përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, së bashku me pjesëtarët e stafit të tij. Ata shprehën solidaritetin e tyre me presidentin Ademi, duke konfirmuar unitetin dhe ndjenjën e fortë familjare që karakterizon komunitetin e futbollit në Kosovë.
Mbështetje të madhe shprehën edhe shumë figura të njohura të politikës. Në mesin e tyre ishin lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, me bashkëpunëtorë, si dhe deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe parti të tjera, të cilët e vizituan familjen Ademi për të shprehur ngushëllimet e tyre.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka postuar një shkrim dhe foto nga vizita në familjen Ademi.
“Sot për ngushëllim te miku im Agim Ademi, për ndarjen nga jeta të vëllait të tij, Bajramit. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve! Bajrami, u prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.
Prania e kaq shumë personaliteteve të larta është dëshmi e respektit të gjerë që presidenti Agim Ademi gëzon në shoqëri, si dhe e vlerësimit për kontributin e tij në zhvillimin e futbollit dhe sportit në vend jo vetëm tani në krye të shtëpisë së futbollit, por në të gjitha etapat.




