Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë vendim për themelimin e Shkollës Politike të Aleancës, e cila do të udhëhiqet nga nënkryetari i parë i partisë, Besnik Tahiri.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, përmes një postimi, duke theksuar se kjo nismë synon edukimin politik të gjeneratave të reja dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm.
Në mbledhjen e radhës, kryesia ka vendosur edhe për lansimin e ueb-faqes së re zyrtare të partisë, e cila, sipas Gjinit, do të shërbejë si platformë për informimin e qytetarëve në kohë reale për aktivitetet dhe projektet e Aleancës.
Gjini ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për vazhdimin e angazhimit të partisë në terren dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai ka ritheksuar se AAK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë ndaj pushtetit aktual, duke shprehur shqetësim për gjendjen energjetike në Kosovë.
Sipas Gjinit, vetëm gjatë muajit shtator Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 27 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet për importin e rrymës në më pak se gjashtë vjet kanë tejkaluar një miliard euro.
Për këtë çështje, ai ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i AAK-së do të thërrasë interpelancë në Kuvend, me qëllim që të kërkojë llogari për atë që e cilëson keqmenaxhim të sektorit të energjisë.
Në mbledhje është trajtuar edhe çështja e Ligjit për Gjykatën Speciale, me ç’rast Gjini ka theksuar se qëndrimi i Aleancës ka qenë i qëndrueshëm në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

