Albina Rugova transferohet te Kreuzlingeni në Zvicër
Albina Rugova ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Hendbollistja e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës është transferuar te skuadra e Superligës së Zvicrës, Kreuzlingen.
Te Kreuzligeni ka edhe shumë hendbollistë e hendbolliste të Kosovës, kështu që periudha e përshtatjes do të jetë e lehtë për Rugovën, që luan në pozitën e alos së majtë.
Në fund të edicionit të kaluar (2023/2024), Albina Rugova u largua nga Istogu. Tek Istogu ishte prej fillimit të karrierës, ndërsa është ikonë e këtij klubi. Ka fituar shumë tituj të kampionit e kupa të Kosovës si lidere e kapitene e skuadrës istogase.
Është shpallur po ashtu hendbollistja më e mirë në Kosovë, ndërsa ka përvojë të gjatë e të suksesshme në kupat evropiane.
Për kohë të gjatë hendbollistja istogase është edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Cilësitë e saj Rugova tani i ka vënë në shërbim të skuadrës Kreuzlingen, që në edicionin e ardhshëm të kampionatit helvetik ka synime të mëdha.
Nga kjo lëvizje pritet të përfitoi edhe Albina e rrjedhimisht edhe Kombëtarja e Kosovës që në vjeshtë do t’i ketë sfidat e radhës.