Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall ka vazhduar edhe në edicionin e ri ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”. Pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së parë, ky çmim i ka takuar sulmuesit të FC Prishtinës, Albin Krasniqi, i cili spikati në fitoren 4:2 ndaj FC Ballkanit.
Krasniqi ishte ndër protagonistët kryesorë të Prishtinës në këtë përballje, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në triumfin e skuadrës së tij.
Vlerësimi për “Yllin e Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Krasniqi tha se ndeshja ndaj Ballkanit ishte e vështirë, por përgatitjet gjatë gjithë fazës përgatitore dhe javës së ndeshjes ndihmuan skuadrën për të marrë tri pikët.
“Ballkani ka ekip shumë të mirë dhe ka qenë ndeshje shumë e vështirë. Neve na shkoi shumë mirë, shyqyr Zotit e fituam ndeshjen edhe kemi përgatit frymë të mirë gjatë gjithë javës edhe gjatë gjithë fazës përgatitore kemi stërvit. Edhe kjo ishte ndoshta ajo që na ndihmoi për me e fituar këtë ndeshje”, tha Krasniqi.
Sulmuesi i Prishtinës foli edhe për objektivat e skuadrës dhe për mbështetjen e tifozëve “Plisat”, të cilët i konsideroi lojtarin e 12-të të ekipit.
“Objektivat e Prishtinës dihen gjithmonë qysh janë. Sa i përket tifozëve, s’kam nevojë tash t’i ftii sepse të gjithë Plisat janë me ne kudo që shkojmë Ata janë lojtari ynë i 12-të”, u shpreh ai.
Krasniqi shpreson që Prishtina ta vazhdojë sezonin me paraqitje të tilla, ndërsa për çmimin dhe dy golat e shënuar falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët.
“Normalisht i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, tifozët dhe drejtuesit e klubit, sepse po na rrijnë gati. Por më shumë do t’i falënderoja bashkëlojtarët, se pa ta nuk kishte qenë e mundur kjo”, tha Krasniqi.

