
Alarmon Rafuna, bën thirrje për veprime urgjente të Qeverisë për të mbrojtur ekonominë
Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur dhe përmirësuar ekonominë e Kosovës.
Ai në një intervistë për KosovaPress derisa thotë se ka nevojë për reforma në politikat fiskale, konsideron se qeveria duhet të ndihmojë më shumë bizneset vendase, pasi që sipas tij, ka rënie të theksuar të eksportit, për çfarë thotë se kjo dëmton edhe ekonominë e vendit.
Sa i përket investimeve publike dhe projekteve kapitale, Rafuna bën thirrje për qeverinë që të fillojë sa më shpejtë implementimin e projekteve për të stimuluar dhe nxitur rritjen ekonomike.
Ai i shqetësuar shprehet edhe me masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, ku tashmë bëhen një vit. Ai derisa thotë se kërkesat që vijnë nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar duhet të zbatohen dhe të implementohen nga Qeveria, vlerëson hapin e zgjedhjeve të mbajtura në veri si pozitiv, por thekson se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët në mënyrë që të adresohen edhe sfidat tjera që prekin ekonominë e vendit.
