Aktakuzë ndaj një personi për dhunën kundër KFOR-it në Zveçan

Aktakuzë ndaj një personi për dhunën kundër KFOR-it në Zveçan

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër një personi, i cili dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në protestën e dhunshme të 29 majit të vitit të kaluar në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me paqeruajtësit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Sipas njoftimit, i pandehuri L.D, dyshohet se ka kryer veprat penale: Sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm.

Sipas aktakuzës, L.D më 29 maj të vitit 2023, kishte qenë afër objektit të Komunës së Zveçanit dhe “në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.

Prokuroria Speciale po ashtu ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në epilogun e çështjes penale kundër tij.

Deri më tani, janë arrestuar disa persona për ngjarjet e 29 majit në Zveçan.