Aktakuza e re ndaj Thaçit, PDK-ja e shqetësuar
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se ish-presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.
“Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi. Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë? Të gjithë e dimë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka apeluar që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale. “Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.