Akil Gjakova lajmërohet në rrjetet sociale, pasi u shpall në kërkim nga Policia
Akil Gjakova është “bërë i gjallë” në rrjetet sociale.
Xhudisti kosovar u shpall në kërkim ditën e sotme nga Policia e Kosovës, pasi ai po akuzohet për veprën penale “Dhunë në familje”.
28-vjeçari para pak çastesh u “lajmërua” në rrjetin social “Facebook”, duke shpërndarë një reagim që bëri sonte Federata e Xhudos e Kosovës (FXhK).
Reagim zyrtar nga Federata e Xhudos
Federata e Xhudos e Kosovës dënon fuqishëm çdo formë dhune dhe jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë.
Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona.
Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë.
Akili momentalisht ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe do të dorëzohet menjëherë tek organet e rendit dhe të drejtësisë në momentin që do të arrijë në Kosovë.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj,
Federata e Xhudos e Kosovës