Ahmeti: Po rrezikohen arritjet historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, Ali Ahmeti, u ka dërguar letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Sipas BDI-së, letrat e dërguara nga Ahmeti adresojë tri vendime të fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.
Ahmeti, sipas BDI-së, ka ngritur shqetësime se këto zhvillime, “rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në një shtet shumetnik”, shkruan Rel.
“Ahmeti thekson se tri vendime e fundit përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi. Ai u bën thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të përbashkët për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e BDI-së të publikuar më 27 tetor.
Në mesin e udhëheqësve që Ahmeti u ka dërguar letër janë presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, të shtunën, tha se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm pjesa e gjyqësorit.