Ahmeti: Për BDI-në në opozitë nuk vendos Mickoski, por qytetarët!
Ky ka qenë mesazhi i liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, gjatë një tubimi partiak në Kërçovë, teksa ka komentuar zhvillimet dhe paralajmërimet pasgjedhore që vijnë nga tabori I opozitës maqedonase.
“A ju kujtohet Zoran Zaevi, kur doli para katër viteve – BDI në opozitë. Kështu thoshte. Del VMRO-ja e Mickoskit thotë – do marrë të tjerë unë dhe BDI-ja do të shkojë në opozitë. Nuk është Mickoski ai që vendos se a do të shkojë BDI-ja në opozitë. Jeni ju – populli” , tha Ahmeti.
Tutje, Ahmeti bëri thirrje që të ulen tensionet, duke pohuar se qëllimi i Frontit Evropian është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Është mirë të reflektojnë. Unë nuk dua as skena nacionaliste e as skena patriotike. Edhe për njërën edhe për tjetrën jam i gatshëm edhe me shpatë. Por, vendi ynë e ka vendin në Evropë. Jo rastësisht jemi bërë të gjithë bashkë” – tha Ahmeti.
“BDI në opozitë” ka qenë thirrja kryesore e VMRO-DPMNE-së, thirrje kjo që ka nisur që në parafushatën zgjedhore, kurse u konfirmua natën e 24 prillit, kur Mickoski duke e ndjerë tashmë veten si mandatar i ardhshëm për formimin e qeverisë, bëri publike preferencën që opozita shqiptare të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. /tvklan.mk