Agnesa Rrahmani transferohet në Greqi: Mezi po e pres këtë rrugëtim

Agnesa Rrahmani transferohet në Greqi: Mezi po e pres këtë rrugëtim

Basketbollistja e Kosovës, Agnesa Rrahmani është transferuar në Greqi te skuadra e Athinaikos.

Ky është një hap para për basketbollisten e Kosovës, derisa Rrahmani ka përfaqësuar Kosovën edhe në garat e 3×3.

Athinaikos bën gara në Divizionin A2 apo Ligën e Parë Greke.

Agnesa është shprehur shumë e lumtur për këtë transferim.

“Është një përvojë e re në basketbollin evropian. Kjo do të thotë shumë për mua, sidomos për mua në këtë moshë që të fitojë përvojë dhe të kontribuoj për Kosovën. Mezi po e pres këtë rrugëtim”, ka thënë Rrahmani për faqen zyrtare të FBK-së.

Rrahmani është pjesë e Kosovës A dhe Kosovës 3×3, derisa ka luajtur për grupmoshat e Kosovës.

“Të luash për Kosovën është gjithmonë nder dhe krenari, por edhe ndihmë e madhe, pasi je në vëzhgim të agjentëve të ndryshëm. Gjithmonë kam luajtur me krenari dhe përgjegjësinë më të madhe për Kosovën”, shtoi tutje basketbollistja nga Ferizaj.

Së fundi ka qenë pjesë e skuadrës Peja 03, kurse më parë ishte pjesë e Prishtinës dhe Kastriotit.