
AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medias
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Sipas AGK-së, votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje i ka bërë kundër lirisë së medias në Kosovë dhe sipas tyre është tentim për disiplinim e kontroll të tyre.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës.AGK-ja ka bërë thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.