
Agim Veliu bën thirrje për reformim të degës së LDK-së në Podujevë
Agim Veliu përmes një postimi në “Facebook” ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të degës së LDK-së në Podujevë.
Ai ka thënë se dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative.
“Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi. Për më shumë se 30 vite dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj. Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet”, ka shkruar Veliu.
Ai ka theksuar se rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.
Veliu ka thënë se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë. Në këtë situatë është e domosdoshme: Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme. Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale. Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura. Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit. Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së”, ka thënë Veliu.
Ai ka shtuar se heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.
“Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur. Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël. LDK-ja është e anëtarëve dhe votuesve të saj. Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë”, ka thënë Veliu.
