Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka vizituar sot fabrikën vendore “Pista Ekoplast”, e cila drejtohet nga Haxhi Pista.
Ademi tha se kjo kompani përbën një shembull të suksesit dhe inovacionit në industrinë vendore, duke theksuar se “Pista Ekoplast” është fabrika e vetme në Kosovë që prodhon ulëse për stadiume të futbollit dhe palestra sportive.
Sipas tij, kompania i zhvillon produktet e saj duke ndjekur standardet bashkëkohore dhe trendet më të reja të këtij sektori.
“Është inkurajuese të shohësh biznese vendore që investojnë në cilësi, teknologji dhe inovacion, duke dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë”, ka shkruar Ademi.
Në fund të vizitës, presidenti i FFK-së ka përgëzuar Haxhi Pistën dhe gjithë ekipin e kompanisë për punën, përkushtimin dhe vizionin e tyre.

