
Punëtoria e parë mjekësore e FFK-së me UEFA-n, hap i madh për standardet shëndetësore në futbollin e Kosovës
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ditën sot e ka nisur në punëtorinë mjekësore, e cila është organizuar për herë të parë në Kosovë nga FFK-ja, në bashkëpunim me UEFA-n, me pjesëmarrjen e plotë të mjekëve të ekipeve të Superligës, Ligës së Parë, ekipeve të vajzave, si dhe ekipeve zinxhir të ekipeve kombëtare.
“Kjo punëtori është një hap shumë i rëndësishëm drejt avancimit të standardeve mjekësore në futbollin tonë”.
“Ligjërimet dhe udhëheqja e pjesës praktike po realizohen nga ekipi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës: Dr. Amir Vejseli, Mustafë Januzaj, Argjent Hoti dhe Skifter Imeri, të cilët po sjellin përvoja konkrete dhe njohuri profesionale nga shkollimet e tyre sistematike dhe programet e avancuara të UEFA-s”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Ai ka theksuar se kombinimi i pjesës teorike dhe asaj praktike është thelbësor për rritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe unifikimin e protokolleve mjekësore në të gjitha nivelet e futbollit në Kosovë.
“Në këtë punëtori trajtohen tema me rëndësi jetike për sigurinë dhe performancën e futbollistëve, përfshirë: atakun kardiak, lëndimet cervikale, fizioterapinë dhe rëndësinë e saj në fushën e futbollit, lëndimet e toraksit, si dhe lëndimet e ekstremiteteve”.

“Shëndeti i futbollistëve është prioritet absolut për Federatën e Futbollit të Kosovës. Pa futbollistë të shëndetshëm nuk ka zhvillim dhe as suksese afatgjata.
Prandaj, investimi në edukimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor, në protokolle moderne parandaluese dhe në reagim të shpejtë e profesional ndaj lëndimeve është një përgjegjësi institucionale që e marrim me seriozitet maksimal”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
