Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka pritur në takim kryetarin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ), Afrim Osmanaj, së bashku me nënkryetarët Enver Muzliukaj dhe Mustaf Bellaina.
Në takim është diskutuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e garave të futbollit në diasporë, si dhe për organizimin e Kupës së Kosovës për diasporën.
Ademi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me strukturat sportive të diasporës për zhvillimin dhe promovimin e futbollit, por edhe për forcimin e lidhjeve të bashkatdhetarëve me Kosovën.
“Futbolli është një nga urat e fuqishme që na bashkon me bashkatdhetarët tanë kudo në botë”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka bërë të ditur se FFK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me strukturat sportive të diasporës, me synim që lidhja e tyre me atdheun të jetë sa më e fortë përmes futbollit.

