
Agim Ademi: Futbolli ynë po rritet dhe po përgatitet për sfida të mëdha
Edhe të premten presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka vazhduar me vizita tek klubet që ndodhen për fazën përgatitore në Turqi.
Ai ka qëndruar në ambientet ku janë të grumbulluara FC Drita, SC Gjilani, FC Prishtina dhe KF Llapi.
“Këto nuk ishin vetëm vizita formale, por takime të frytshme dhe të veçanta, ku pasioni dhe përkushtimi për futbollin ndjehej tek secili klub”.

“Skuadrat janë të përqendruara maksimalisht dhe po punojnë me përkushtim, disiplinë dhe besim në këtë fazë të rëndësishme përgatitore për stinorin pranveror. Tek secila skuadër u vërejt dëshira për përmirësim, uniteti i grupit dhe etja për sukses”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Ai ka theksuar se trajnerët, stafi dhe lojtarët po japin maksimumin, të vetëdijshëm se puna që bëhet sot është themeli i rezultateve të nesërme.
“Grumbullimet e tilla nuk janë vetëm për forcë fizike dhe taktikë, por edhe për ndërtimin e karakterit dhe shpirtit garues. Emocioni, pasioni dhe dashuria për fanellën ndiheshin në çdo hap. Me këtë energji dhe përkushtim, pranvera premton futboll të fortë, rivalitet të bukur dhe ndeshje që do të mbeten në kujtesën e tifozëve”.

“Futbolli ynë po rritet dhe po përgatitet për sfida të mëdha”, ka shkruar Ademi.
