
Agim Ademi: E mbyllim këtë cikël kualifikues me krenari, me biletën historike për “play-off” të Botërorit 2026!
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi është shprehur i lumtur me paraqitjet e kombëtares sonë në kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Ai ka përgëzuar nga zemra futbolistët të cilët luftuan deri në atomin e fundit, përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij për punën e jashtëzakonshme, stafin mjekësor, ekipin teknik dhe të gjithë ata që janë pjesë e këtij ekipi të mrekullueshëm.
“E mbyllim këtë cikël kualifikues me krenari, me barazim ndaj Zvicrës dhe me biletën historike për “play-off” të Botërorit 2026!
Sonte, në “Fadil Vokrri”, djemtë tanë treguan edhe një herë se çfarë do të thotë të luftosh për Kosovën. Një paraqitje fantastike, një shpirt i jashtëzakonshëm gare dhe një rezultat i merituar 1:1, me golin e Florent Muslijës që na siguroi fundin më të bukur të këtij rrugëtimi.
Këtë cikël e mbyllim me 3 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, por mbi të gjitha, e mbyllim me zemër të plotë dhe me pjesëmarrjen historike në “play-off”.
Një arritje që pak kush e parashikoi por të cilën Dardanët tanë e besuan dhe e ndërtuan me djersë, me punë dhe me karakter.
Dua t’i përgëzoj nga zemra futbolistët të cilët luftuan deri në atomin e fundit, përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij për punën e jashtëzakonshme, stafin mjekësor, ekipin teknik dhe të gjithë ata që janë pjesë e këtij ekipi të mrekullueshëm.
Dua të falënderoj tifozët “Dardanët”, si dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, për mbështetjen që nuk ka munguar asnjë sekondë.
Ky sukses është i përbashkët. Ky është vizioni ynë. Ky është karakteri i Kosovës.
Një falënderim i veçantë edhe për ekipin organizativ të ndeshjes, që përkundër reshjeve të pandalshme të shiut siguruan kushtet e duhura për lojë. Asnjë pengesë nuk e ndali sot Kosovën. As në fushë, as jashtë saj.
Në mars kthehemi edhe më të fortë.
Drejt ëndrrës së madhe,
Drejt Botërorit 2026,
Drejt Amerikës!”.
