Afër dy milionë euro u investuan në objektin e ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë

Afër dy milionë euro u investuan në objektin e ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë

Afër dy milionë euro janë investuar në objektin e ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili bashkë me ministren e Drejtësisë kanë prerë shiritin.

Në deklarimin e tij, Kurti tregoi se për të jetësuar këtë kërkesë të kamotshme të punonjësve të Gjykatës dhe qytetarëve të Gjakovës, ka pasur angazhim maksimal gjatë tri viteve të fundit për t’i përmbyllur punimet e nisura që nga viti 2015. Kjo ndërtesë shënon një epokë të re për drejtësinë në rajonin e Gjakovës, u shtoi ai.

“Bashkë me ministren e Drejtësisë u mirëpritëm nga kryetari Nikollë Komani, i cili me këtë rast na paraqiti hapësirat e reja, të cilat janë të lidhura me ngrohtoren e qytetit; pastaj kanë klimatizim qendror dhe, ku secili prej 18 gjyqtarëve e ka zyrën e vetë të veçantë, ndërkaq dy bashkëpunëtorë profesionistë, e kanë një zyrë”, u shpreh kryeministri.

Ndërtesa e re e 31 gjyqtarëve, siç tha kryeministri, do të shënojë një besim të ri në gjyqësorin e Kosovës nëpërmjet efikasitetit, integritetit dhe kushteve të mira fizike të punës, derisa qytetarët e Gjakovës do të kenë vendin për të drejtat e tyre dhe për drejtësinë për rastet e ndodhura.

Duke falënderuar kryetarin Komani për paraqitjen e objektit të ri me shumë përkushtim, kryeministri Kurti i uroi punë të mbarë të gjithë gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesionist, stafit dhe qytetarëve.

Në ceremoni pos kryeministrit dhe ministres së Drejtësisë mori pjesë edhe kryetarja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.