
Ademi pret në takim gjeneratën e Artë dhe gjeneratën e Sakrificës
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur në një takim të veçantë gjeneratën e Artë dhe gjeneratën e Sakrificës, së bashku me përfaqësuesit e Unionit të Klubeve Shqiptare në Zvicër.
“Në këtë darkë festive të fundvitit, kremtuam arritjet tona gjatë këtij viti si dhe bashkëbiseduam për futbollin ndër vite. I falënderova të gjithë përzemërsisht për mbështetjen e palëkundur që i japin Kombëtares dhe futbollit tonë. Gjatë bashkëbisedimit, të gjithë shprehën krenarinë për rrugëtimin e Gladiatorëve Dardanë, për të cilët u tha se tejkaluan çdo pritshmëri, duke siguruar fazën ‘play-off’ të Kupës së Botës”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.
Ai ka treguar se një vlerësim i veçantë u dha edhe për punën e shkëlqyer të përzgjedhësit Franco Foda, i cili me rezultatet e tij tashmë është gdhendur si trajneri më i suksesshëm në historinë e Kombëtares sonë.
“I urova për festat e fundvitit me shpresë që viti 2026 të jetë viti i shqiptarëve dhe i Kombëtares së Kosovës. Urova që Dardanët do të arrijnë ta shkruajnë historinë dhe do të na dërgojnë në Kupën e Botës. Ky sukses do të ishte dhurata më e madhe për popullin tonë dhe një shenjë mirënjohjeje për miqësinë e përjetshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës”, ka shkruar Ademi.
