Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka përgëzuar talentin e ri të Kombëtares së Kosovës, Erblin Osmani, për paraqitjen në ndeshjen e UEFA Youth League ndërmjet Bayern Munichut dhe Arsenalit.
Përmes një postimi, Ademi ka bërë të ditur se e ka përcjellë nga afër këtë përballje, e cila përfundoi me rezultat 3:3, ndërsa Osmani shënoi një gol nga pika e bardhë.
Ai ka vlerësuar potencialin dhe cilësitë e futbollistit të ri, duke theksuar se FFK-ja do të vazhdojë t’i përcjellë dhe t’i mbështesë talentet shqiptare që zhvillohen në akademitë dhe klubet më prestigjioze evropiane.
Sipas Ademit, këta futbollistë përbëjnë pasurinë dhe të ardhmen e futbollit të Kosovës.
Në fund, presidenti i FFK-së i ka uruar suksese të mëtejshme Osmanit, duke shprehur krenarinë për paraqitjen e tij.

