Ademi: FFK-ja do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e futbollit në Fushë Kosovë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti, morën pjesë në një takim të organizuar nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, me KF Fushë Kosova, përfaqësues të klubeve të sporteve të tjera dhe sponsorë.
Gjatë këtij takimi, kryetari Berisha falënderoi FFK-në për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar për klubin dhe komunitetin e futbollit në këtë komunë. Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e sponsorizuesve të klubit dhe zhvillimit të sporteve në Fushë Kosovë.
Në fjalën e tij, presidenti Ademi ndau me të pranishmit strategjinë e organizimit të klubeve dhe të federatës, duke shpjeguar mundësitë për të investuar në klube dhe për të siguruar një buxhet të qëndrueshëm. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për qytetarët e Fushë Kosovës që të kontribuojnë në zhvillimin e klubit përmes modeleve të ndryshme, si ai i shoqërisë aksionare ose i anëtarësisë, ku secili banor mund të kontribuonte përmes një shume vjetore.
Ademi gjithashtu theksoi potencialin e madh të Fushë Kosovës, me rreth 75 mijë banorë dhe 13 mijë nxënës në shkolla, si një burim të pasur të talenteve për sport, sidomos për futbollin. Ai shprehu angazhimin e FFK-së për të vazhduar mbështetjen dhe investimin në zhvillimin e futbollit, duke krijuar mundësi dhe kushte për rritjen e këtij sporti, i cili po merr gjithnjë e më shumë dimensione profesionale dhe komerciale.