Ademi e Koumas ritheksojnë raportet e shkëlqyshme mes dy federatave
Në prag të ndeshjes së nesërme ndërmjet Kosovës dhe Qipros, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sipas traditës ka shtruar një darkë mikpritëse për delegacionin e Federatës së Futbollit të Qipros dhe delegatin e UEFA-s.
Kreu i FFK-së i shprehu mirëseardhje presidentit të Federatës së Futbollit të Qipros, Giorgos Koumas, dhe zyrtarëve të tjerë të federatës qipriote.
Presidenti Ademi, i cili ka raporte të mira me homologët e tij vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy federatave. Në fjalën e tij, Ademi theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në nivelin ndërkombëtar dhe rolin që të dyja federatat luajnë në zhvillimin e futbollit.
Nga ana tjetër, presidenti Koumas shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe e vlerësoi punën që presidenti Ademi ka bërë në vitet e fundit për të përparuar futbollin kosovar. Ai e cilësoi Ademin si një lider me vizion dhe një mik të madh, duke e theksuar rolin kyç që ai ka luajtur përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Të dy krerët e federatave uruan për një ndeshjeje të ndershme dhe të bukur. Në përfundim të darkës, ata shkëmbyen dhurata simbolike si shenjë respekti dhe miqësie mes dy federatave.
Ndeshjet mes Kosovës dhe Qipros kanë qenë të shpeshta në vitet e fundit, duke krijuar një histori të fortë rivaliteti sportiv por edhe miqësie.
Kosova do të presë Qipron, nesër, në “Fadil Vokrri”, përballje kjo që pritet me shumë entuziazëm nga tifozët dardanë.