Abstenoi për Srebrenicën, Serbia ia jep Hondurasit 500 mijë dollarë donacion

Abstenoi për Srebrenicën, Serbia ia jep Hondurasit 500 mijë dollarë donacion

Hondurasi është njëri nga 68 shtetet që abstenuan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që 11 korrikun e shpalli Ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, krim për të cilin përgjegjës është Serbia.

10 ditë më vonë në publik doli lajmi se pikërisht Hondurasin, Serbia e ka ndihmuar me një donacion në vlerë prej gjysmë milioni dollarë.

Ministri i Jashtëm, Enrique Reina, ka njoftuar se Serbia ia ka dhuruar 500 mijë dollar Hondurasit si donacion për një spital të përfshirë nga zjarri.

Për ish-diplomatët e Kosovës nuk është risi fakti se Serbia bënë aktivitete në vende të treta kryesisht duke i ndihmuar ekonomikisht. Emir Abrashi që për një kohë ka shërbyer si këshilltar në Ministrinë e Jashtme, thotë se shpesh herë kanë ndarë bursa për studentë nga shtetet afrikane si strategji për të siguruar mbështetje.

Sipas tij, aktualisht Kosova nuk po korr suksese në politikën e jashtme për shkak të mungesës së strategjisë së lobimit dhe kontraktimit, posaçërisht për kompanitë e lobimit.

“E para lidhet me mungesën e funksionalitetit të shërbimit të jashtëm të Kosovës e i cili vjen për shkak të politikave të pamenduara të ministres Gërvalla. Për shkak të mungesës së koherencës në politikën e jashtme, për shkak të mungesës së koordinimit me politikën e jashtme.”, ka deklaruar Abrashi.

Megjithatë, sipas Abrashit në rastet sikur anëtarësimi në Këshillin e Evropës ku votat ndërlidhen me çështje të tjera, nuk ka strategji dhe ka përçarje brenda MPJD-së e mangësi në misionet diplomatike.

“Pozitat kyçe në Ministrinë e Punëve të Jashtme i mbajnë njerëz të cilët vijnë nga ministri e Diasporës e të cilët as nuk kanë grada diplomatike e të cilët në masë të madhe nuk kanë as përvojë në politikë të jashtme.”, ka vijuar Abrashi.

Edhe ish-ministrja në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, konsideron se në sferën ndërkombëtare Kosova nuk po arrin qëllimet që i synon. Sipas saj, mundësitë për të lobuar janë të vogla, dhe edhe ato pak shtigje që janë, nuk po shfrytëzohen.

“Është legjitime është në kompetencë të shteteve që të bëjnë politikë mbi bazën e resurseve të cilat ato i kanë. Në situatën e Kosovës druaj sen e asetin kryesor të cilin e kemi pasur partneritetin e ndërtuar për vite me shtet veç e veç nuk arritëm që ta mbajnë dhe të avancojmë më tutje.”, ka vijuar Ahmetaj.

Sipas ish-ministres së Integrimit Evropian, tash nënkryetare e PDK-së, vizita e fundit e presidentit kinez në Serbi dhe marrëveshjet e nënshkruara janë vetëm disa nga shembujt që e dëshmojnë suksesin që Serbia e gëzon për shkak të mundësive që i ka.