Abdixihiku me kritika për Kurtin: Kosova ka ngecur me të

Abdixihiku me kritika për Kurtin: Kosova ka ngecur me të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke cilësuar se Kosova ka ngecur për shkak të tij.

“Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa!”, ka shkruar Abdixhiku në faqen e tij të Facebook-ut.

Kreu i LDK-së thotë se në Kosovë nuk po prodhohet, nuk po krijohet, e krejt kjo si rezultat i ekonomisë së kryeministrit Kurti.

Ai shton se paaftësia kushton.

“Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend. Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populiste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten”, ka shkruar Abdixhiku.

“Kosova meriton më mirë”.