
Abdixhiku takon ambasadorin italian, flasin për formimin sa më të shpejtë të institucioneve
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.
Gjatë takimit, sipas njoftimit zyrtar të LDK-së, u diskutua lidhur me situatën aktuale politike në vend, si dhe për qëndrimin e partisë karshi kësaj gjendjeje dhe zhvillimeve të fundit politike.
Siç thuhet në komunikatën për media, Abdixhiku theksoi nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke nënvizuar se qytetarët e Kosovës po përballen me sfida të mëdha dhe kanë nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe veprime konkrete që adresojnë problemet e tyre të përditshme.
“Po ashtu, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës ndër vite, në të gjitha proceset shtetndërtuese, demokratike dhe integruese, duke e vlerësuar Italinë si një partnere të rëndësishme dhe mike të dëshmuar të Kosovës”, thuhet në njoftim.
