Abdixhiku shpalos programin për infrastrukturë dhe energji

Abdixhiku shpalos programin për infrastrukturë dhe energji

Lumir Abdixhiku, kandidati për kryeministër i LDK-së, njëherësh edhe kryetar partie, ka bërë të ditur se sot në Mitrovicë e ka prezantuar programin për Infrastrukturë dhe Energji.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se kanë prezantuar projekte të mëdha që do ta transformojnë Kosovën dhe do ta shndërrojnë atë në model të zhvillimit rajonal – me rrjet rrugor të zhvilluar që lidh qytete e që krijon mundësi të reja, dhe me sistem energjetik të qëndrueshëm dhe më të pastër.

“Kosova duhet të lëvizë përpara me hapa të shpejtë, sepse nuk mund të qëndrojmë të fundit në Europë! Është koha të ecim me hapa të sigurt drejt një të ardhme ku standardet tona të jetës janë si të çdo vendi të zhvilluar Europian!”, ka thënë Abdixhiku.

Postimi i tij:

Mes interesimit të madh të qytetarëve për program, sot, në Mitrovicë prezantuam programin tonë ambicioz për Infrastrukturë dhe Energji!

Prezantuam projekte të mëdha që do ta transformojnë Kosovën dhe do ta shndërrojnë atë në model të zhvillimit rajonal – me rrjet rrugor të zhvilluar që lidh qytete e që krijon mundësi të reja, dhe me sistem energjetik të qëndrueshëm dhe më të pastër.

Kosova duhet të lëvizë përpara me hapa të shpejtë, sepse nuk mund të qëndrojmë të fundit në Europë! Është koha të ecim me hapa të sigurt drejt një të ardhme ku standardet tona të jetës janë si të çdo vendi të zhvilluar Europian!

Prandaj, me mua si Kryeministër, në Infrastrukturë dhe Energji do të kemi:

🔵 Në Infrastrukturë:
* Përfundimin e të gjitha magjistraleve kryesore, duke përfshirë Prishtinë-Podujevë me investim 50 milionë euro dhe Prishtinë-Mitrovicë me investim 30 milionë euro.
* Përfundimin e Autostradës së Anamoravës, që lidh Prishtinën me Gjilanin dhe Dheun e Bardhë, me një investim prej 170 milionë eurosh.
* Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Kryeqytetit, një projekt me vlerë totale prej 350 milionë eurosh, për ta lehtësuar trafikun dhe rritur efikasitetin në kryeqytet.
* Vazhdimin e Autostradës “Ibrahim Rugova” deri në Merdarë, me kosto prej 150 milionë eurosh si pjesë e investimeve rajonale të BE-së.
* Ndërtimin e 200 vendndalesave për autobusë dhe vetura në rrugët rajonale me investim 10 milionë euro.

🔵 Në Energji:
* Ndërtimin e një Centrali me Gaz prej 500 MW për tranzicion dhe stabilitet energjetik me investim prej 500 milionë eurosh.
* Gazifikimin e Kosovës për ngrohje qendrore dhe industri, me linjë furnizimi prej Hanit të Elezit deri në Mitrovicë (120 milionë euro).
* Kapacitet të ri prej 1000 MW të energjisë së ripërtëritshme nga parqet solare dhe të erës brenda 4 vitesh.
* Infrastrukturë rezervë për ruajtjen e energjisë elektrike përmes hidrocentraleve reversibile dhe baterive me investim 50 milionë euro nga buxheti shtetëror dhe 250 milionë euro nga kompani private.
* Eliminimin e TVSH-së për energjinë elektrike për ta lehtësuar barrën financiare mbi familjet kosovare.
* Planin Kombëtar për Vetura Elektrike i cili eliminon të gjitha obligimet doganore dhe tatimore për regjistrimin e veturave elektrike në vend.
* Dyfishimin e projektit të kogjenerimit në Prishtinë dhe Obiliq me investim 120 milionë euro.

Me mua si Kryeministër, me ekipin tim të dëshmuar dhe me programin tonë ‘Rruga e Re’, Kosova do ta ketë një infrastrukturë rrugore moderne dhe një sistem energjetik stabil për një ardhme të qëndrueshme.