
Abdixhiku: Prishtina di të zgjedhë zhvillimin, jo bllokadën
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e Kryeqytetit Përparim Rama, mbajtën tubimin e Degës së Pestë në Hajvali, mes qytetarëve tanë, mes njerëzve që e duan Kryeqytetin dhe që nuk pranojnë ta shohin Prishtinën të ndalur, të bllokuar dhe të sabotuar, ka theksuar Abdixhiku.
“Energji e jashtëzakonshme. Besim i madh. Vullnet i qartë për rritje të re të Prishtinës. Kryeqyteti foli qartë në zgjedhjet lokale, duke na rikthyer si parti të parë, dhe do të flasë sërish e para edhe në këto zgjedhje. Prishtina di të zgjedhë zhvillimin, jo bllokadën”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK ka projekte konkrete për Kryeqytetin. “Jo premtime të zbrazëta, por plane të qarta dhe investime reale. Nga Unaza e Jashtme që e çliron qytetin nga kaosi dhe trafiku, deri te investimet e mëdha urbane që e kthejnë Prishtinën në një Kryeqytet funksional, modern dhe dinjitoz”.
“Mësimi tërëditor për fëmijët e Prishtinës është prioriteti ynë. Prishtina duhet të jetë shembull për gjithë Kosovën në arsim. Spitali i Prishtinës është zotim tjetër madhor. Një investim jetik për shëndetin e qytetarëve, për shërbime moderne, për dinjitet në trajtim dhe për t’i dhënë fund pritjeve, improvizimeve dhe mungesës së infrastrukturës shëndetësore në Kryeqytet”.
“Qendra e Sportit, bashkë me Stadiumin Kombëtar, janë projekte simbol dhe zhvillimore. Jo vetëm për sportin, por për rininë, për jetën urbane, për ekonominë lokale dhe për imazhin e Prishtinës si Kryeqytet evropian. Këto janë investime që krijojnë identitet dhe krenari”.
“Prishtina nuk ka nevojë për pengesa politike. Ka nevojë për bashkëpunim, për vizion dhe për qeverisje që punon. Me Përparim Ramën në Kryeqytet dhe me LDK-në në qeverisje qendrore, Prishtina do të ecë përpara, pa bllokada, me zhvillim dhe me dinjitet”.
“Dega e 5-të e Prishtinës, përfaqësohet nga dy kandidatë me përgatitje të lartë profesionale, përvojë shtetërore dhe angazhim të dëshmuar publik”.
“Prof. Dr. Izet Sadiku, me numër 44, mjek infektolog dhe profesor universitar, me mbi dy dekada përvojë në shëndetësi publike dhe institucione shtetërore”.
“Vesa Haxhikadriu Berisha, me numër 58, mësimdhënëse nga Prishtina dhe influencuese aktive. Një zë i fuqishëm i arsimit, komunikimit dhe angazhimit me brezat e rinj. Prishtina do të flasë sërish e para. Prishtina do të zgjedhë shpresën.
#LDK123”, ka shkruar Abdixhiku.
