
Abdixhiku: Oferta për qeveri tranzitore mbetet, por nga sot nisim punën për zgjedhjet lokale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjidhja që partia e tij ka ofruar për të dalë nga ngërçi politik, përmes një qeverie tranzitore, mbetet në tryezë, por shtoi se ajo ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët”, shkroi Abdixhiku në ‘Facebook”.
Ai theksoi se deri në arritjen e një zgjidhjeje “përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë”.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Kohë për të humbur më nuk kemi.
Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët.
Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë.
Do të merret me Zgjedhjet Lokale.
Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë.
Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe me 206 këshilltarë lokal, po himë në këtë proces me plot vullnet e me plot bindje. Po hyjmë dhe me plot përgatitje. Plot 6 muaj kohë.
Prandaj, nga sot nisim konsultimet e brendshme për kandidatët për Kryetarë të Komunave e për këshilltarë lokal. Për nominimin e njerëzve me integritet e vullnet për të shërbyer në secilin qytet.
Të gjithë ata që duan të përfaqësojnë vizionin tonë politik, vlerat tona, programet tona; të gjithë ata që duan t’i përfaqësojnë qytetarët tanë – i ftoj të bëhen pjesë e këtij procesi.
LDK i ka dyertë e hapura për secilin.
LDK mbetet e juaja.
LDK mbetet dashni!