Abdixhiku nga Kuvendi u drejtohet qytetarëve: Refuzojeni këtë pushtet që i pati të gjitha dhe nuk dha asgjë

Abdixhiku nga Kuvendi u drejtohet qytetarëve: Refuzojeni këtë pushtet që i pati të gjitha dhe nuk dha asgjë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar pushtetin për kthim mbrapa e dëm të sovranitetit të vendit gjatë këtij mandati.

Ai tha se janë “rrotulluar tavolinat” dhe tash Kosova është e ndëshkuar nga aleatët e Serbia jo.

“Po e nisim seancën e parë të sesionit vjeshtor, fatmirësisht të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshueshme si katër vite më parë – për më tepër në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin tonë dhe të ardhmen që ëndërrojmë. Po e nisim këtë seancë me ndjenjë e ndasive të mëdha shoqërore brenda nesh ku akuzat e tradhtisë e Serbisë janë veçse gjuhë e rëndomtë sikurse edhe ndjenjën e thellë të izolimit tonë kombëtar ku ne ndonëse të vetëm mbesim megjithatë krenarë. Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve të aleatëve tonë, i sulmojmë ata dhe i godasim për të marrë në fund asnjë rezultat veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend europian. Prandaj, për katër vjet nuk kemi as edhe një njohje, prandaj për katër vjet ne nuk kemi asnjë anëtarësim, prandaj ne Republika e Kosovës jemi nën masa e nën sanksione. Një politikë e tillë disfatiste e njohim shumë qartë”.

“E kemi mundur 25 vite më parë. Ne njerëzit e lirë të Republikës së Kosovës. Veçse ne ishim vetë dhe u bëmë aleatë. Ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve, ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve e kundërshtarët tonë i lanë në sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike. Duket se koha ka rrotulluar tavolinat, kështu ndodh kur në momente të rëndësishme historike udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme, populiste e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj gjithësecilit”.

Abdixhiku tha se “katër vite janë të mëdha për të bërë ndryshim të madh mbrapsht”, ndërsa akuzoi Qeverinë Kurti për goditje të shtetësisë së Kosovës me vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

“Në këtë rrotullim tavolinash shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. Ta kuptojmë për pak këtë gjendje fatale për Republikën. BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës, 17 vite pas pavarësisë, 25 vite pas lirisë. Si mund të mburremi ne me një përfundim të tillë? Ku qenka suksesi i sjelljes sonë gjoja sovrane?”.

Kreu i LDK-së përmendi mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit dhe për këtë bëri përgjegjëse Qeverinë.

“Dhe në këtë rrotullim tavolinash, jemi në prag të përjashtimit edhe nga Procesi i Berlinit, për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ta kuptoni mirë, këto janë pasoja serioze të kësaj politike. Kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historikë e rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar. Të kuptoni mirë se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota, qëndrojnë humbjet e mëdha të vet shtetit e Republikës.

Natyrisht se populizmi nuk e kupton këtë brengë. Përkundrazi, populizmi e populistët kanë nevojë për polarizim të mëtutjeshëm. Për ndarje sa më të thellë. Ne dhe ju; sa më larg, sa më të ndarë”.

Abdixhiku këtu përmendi edhe rastin me urën dhe kritikoi për një “ngritje të pyetjes” nëse je për apo kundër hapjes.

“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishin për, në fund disi ngrihet pyetja a je për apo kundër, këndej apo andej urës? Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurt, shqip qartë! Sepse, ka një vijë që se kalojmë dot – NATO dhe Kosova janë një, bashkë – asnjëherë përballë! Ky është orientim popullor i Kosovës dhe ju garantoj, se asnjë dëshirë – sado e errët ekstremiste, nuk mund as ta testojë edhe më pak ta ndryshojë këtë orientim. Por ja që, përveç Ures së Ibrit, ka dhe një urë tjetër, këtu në Badovc. Aty nuk ka NATO, aty nuk ka media, aty nuk ka asnjë pengesë të vetme që kjo urë të përfundojë. Tash e sa vite, mijëra vetura në ditë, kapërcejnë nëpër rrugën që s’ka urë. Por qeverinë nuk i ke aty. As duke lyrë, as duke testuar, aq më pak duke e ndërtuar atë”.

Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë edhe për politikën e brendshme.

“Dhe kjo është zgjedhja jonë sot. Zgjedhja mes një politike që krijon temë të brendshme elektorale pa asnjë rezultat shtetar, përkundrazi me ngufatje të subjektivitetit tonë ndërkombëtar; apo një politike që ndërton e krijon, që pas katër viteve, me 51% e me 12 miliardë euro buxhet, është në gjendje t’i numërojë së paku tri projekte me rëndësi që i ka lënë për këtë vend. Një politikë që nuk ngritët në mëngjes për t’i hartuar plot 10 ligje kundërkushtetuese, për të atakuar më pas secilin mendimtar më ndryshe, për ti sulmuar gjyqtarët që kundërshtojnë tendencat autokratike e për ti mbrojtur të korruptuarit e mafisë energjetike. Nuk kemi nevojë për një politikë që jeton për t’i sulmuar mediat, bizneset e gjithë korpusin jopartiak të tyre; por një që bën një spital të ri, u jep ushqim fëmijëve në shkolla, përfundon rruga e autostrada disakilometërshe, ndërton centrale me gaz, siguron energji, zbutë deficitin tregtar, e krijon paga të larta, punë të denja, jetë të mirë të për secilin qytetar!”.

Ai tha se lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon dhe – siç tha-  me të dhe një politikë e zymtë, përplasëse e ndarëse.

“Kosova është shumë e pasur për të qenë kaq e kurthuar. Është shumë e vlefshme për të mbetur kaq mbrapa e në fatin e ankuesve. Ne kemi ëndërruar me të drejtë një shtet te pasur, të konsoliduar, të zhvilluar me suksese brenda e jashtë; dhe askush, asnjëherë, për asnjë çmim s’ka të drejtë të na ndajë nga kjo ëndërr sa e drejtë aq edhe e mundur”.

Në fund Abdixhiku pati një thirrje për qytetarët e Kosovës.

“Dhe nga kjo foltore e këtij Kuvendi i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës, ata që nuk ndjenjë komfort në ndarjen tonë të brendshme, nuk ndjenjë satisfaksion në izolimin tonë të jashtëm, të rreshtohen prapa refuzimit të madh që duhet t’i bëjmë këtij pushteti! I patën të gjitha, nuk dhanë asgjë! Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë.  Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme!”.