Abdixhiku: LDK-ja ka një vit e gjysmë që bojkoton RTK-në, s’ka bashkëpunim deri në shkarkimin e militantëve partiakë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se më 1 gusht janë bërë një vit e gjysmë qëkur partia e tij vendosi ta bojkotojë në tërësi Radio Televizionin e Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Abdixhiku është shprehur se LDK-ja nuk ka asnjë bashkëpunim me televizionin publik, deri në shkarkimin e militantëve partiakë të vënë në krye.
“Sot, pra me 1 gusht, mbushen 1 vit e gjysmë që kur LDK vendosi të bojkotoj në tërësi televizionin publik RTK. Asnjë intervistë, asnjë bashkëpunim, asnjë deklarim – deri në shkarkimin e militantëve partiak të vënë në krye të mediumit publik. Një vit e gjysmë më parë ne kishim kuptuar kapjen e plotë të politikave redaktoriale të RTK-së nga pushteti popullist. Kishim kuptuar dhe ndikimet direkte të ‘Grupit të PolitByrosë nga Tirana’ dhe gjithë rreziqet propaganduese që buronin nga një konstrukt i tillë”, shkroi ai.
Më tej kreu i LDK-së pohon se bojkoti i tyre mbeti vetëm një paralajmërim dhe si rezultat i bojkotit, nuk kanë reaguar për zhvillimet e fundit në RTK.
“Fatkeqësisht, në atë kohë dhe që nga ajo kohë, ne mbetëm të vetëm. Bojkoti ynë, përkundër konsideratës për gazetarët me integritet që i gjeje brenda RTK-së aty këtu, mbeti veçse një paralajmërim. Madje, nga shumë akter politik u pa si një mundësi e mirë e marrjes së hapësirës së lënë nga ne. Disa madje dhe e harruan. Siç tha një komentator gjumi këto ditë, pse nuk reagoi LDK për sulmet e RTK-së?! Ndërsa ne në bojkot!”, deklaroi Abixhiku.
Abdixhiku ka thënë se situata e fundit e krijuar në RTK, do të jetë njollë e zezë në historinë e këtij mediumi, teksa LDK-ja do të vazhdojë ta bojkotojë atë.
“Tani që u pa hapur se kapja, orkestrimi i propagandës e politikat redaktoriale përcaktohen nga pushteti e parapushteti, paralajmërimi dhe bojkoti ynë marrin edhe më shumë kuptim! Një vit e gjysmë më pas, u kuptua se RTK nëpërmjet urdhëresave të partisë në pushtet, sulmoj mediat me lajme të rreme e kështu rrezikoj dhe jetën e kolegëve të tyre gazetarë në vend. Do të jetë një njollë e zezë ky segment në historinë e këtij mediumi që brenda vetes mbanë mundin e gjeneratave të tëra në gazetari. LDK vazhdon të mbetet edhe sot e vetme në bojkotin ndaj mediumit të kapur publik. Ne vazhdojmë të besojmë se veprimet e parapushtetit sulmojnë fundamentet e demokracisë, vlera këto që LDK jo vetëm i ka kultivuar në vend, por dhe i mbronë me çdo mjet! Prandaj sot, secili akter publik, duhet të rreshtohet prapa një qëndrimi si ky! Një vit e gjysmë më vonë, por më mirë vonë se hiç! Dhe që ta kuptoni, qëndrimet e veprimet e LDK-së, mbi kapjen, grupet parapolitike e propagandën, nuk janë pozicione të garave partiake. Ato janë përfundime konstatuese të shqetësimeve serioze mbi rrënimet fundamentale të vlerave të shoqërisë. Dhe herët apo vonë do të dalin secila! Si ajo e kapjes së RTK-së; si ajo e ‘Grupit të PolitByrosë nga Tirana’; si e ajo propagandës së sondazheve e mbi të gjitha, e dëmeve të mëdha antishtetare që pushteti i majtë popullist ka shkaktuar për katër vjet!”, tha më tej në reagimin e tij kryetari i LDK-së.