
Abdixhiku: LDK-ja është më e madhe se çdo individ
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave, duke falënderuar 126 mijë votuesit e kësaj partie që i besuan në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai ka thënë se çdo votë e dhënë për LDK-në është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. “Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë. Nuk është e tepërt të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë. LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ai ka theksuar se LDK-ja është parti institucionale. “Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara. Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se një fjalë të drejtpërdrejtë ka dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë. “Qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”, ka thënë ai.
