
Abdixhiku: Jemi shumë, jemi bashkë, jemi NJË!
Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, ka thënë sonte nga Ferizaj, se është momenti i këtij subjekti për jetë më të mirë për qytetarët.
Ai shkruan se koha e fjalëve boshe ka mbaruar, sepse tashmë është koha e ndryshimit, transmeton klankosova.tv.
“Çfarë tubimi madhështor, çfarë pritje e jashtëzakonshme! Jemi shumë, jemi bashkë, jemi NJË! Në Ferizajin e njerëzve të ndershëm, të bizneseve të suksesshme, e të sipërmarrësve punëtor – u bashkuam rreth vizionit për një Kosovë ku familjet kanë mirëqenie, ku bizneset janë partnerë, dhe ku secili qytetar jeton me krenari! Nuk ka sallë që nuk e mbushim, dhe nuk ka lagje, fshat apo qytet që nuk po na bashkohet”.
“E ardhmja e vendit përcaktohet tani, në këto zgjedhje. Sepse jemi në një udhëkryq mes dy të ardhmesh, dhe 9 shkurti është pika e kthesës që përcakton nëse Kosova do të jetë vend i mundësive e i zhvillimit, apo vend i izolimit, përçarjes e sanksioneve.
Në programin tonë politik, zotohemi për 5 miliardë euro investime, 5 miliardë euro buxhet dhe 5% rritje ekonomike! Dhe sot, në Ferizajin e sukseseve, me ekipin e fitores, dhe me programin e studiuar prej ekspertëve më të mirë që ka vendi, u zotuam se besimin e madh qytetar do ta nderojmë me punë e me përkushtim, me tolerancë e me përgjegjësi politike, vlera këto që përbëjnë vet themelet e LDK-së. Koha për fjalë boshe ka përfunduar. Tani është koha e punës. Tani është koha e ndryshimit. Tani është momenti ynë! Falemnderit Visar për këtë organizim drithërues. Je më meritori për këtë frymë! Suksese kandidatëve tjerë tanë nga Ferizaji: Bahrije Hyseni, Ibadete Mehmeti, Paris Guri. Shihemi në festën e madhe me 9 shkurt! #LDK124”.