Abdixhiku i shkoi, Krasniqi e refuzoi ftesën e presidentes Osmani
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka filluar takimet me liderët e opozitës për zhvillimet e fundit në vend dhe për draft-statutin e Asociacionit. Osmani të hënën e ka pritur në takim të parin kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Por në këtë takim tashmë është konfirmuar se nuk do të shkojë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Diskutimet për draft-statutin e Asociacionit që është propozuar nga Perëndimi, kanë filluar të bëhen edhe me partitë opozitare.
Këto takime po organizohen nga presidentja, Vjosa Osmani e cila të hënën e priti të parin në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në këtë takim sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes u diskutua për draft-statutin e Asociacionit dhe për zhvillimet e tjera në vend.
“Më tej, Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.” – thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, në këtë komunikatë thuhet se kryetari Abdixhiku “e ka njoftuar Presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.”
Tutje bëhet e ditur se Presidentja Osmani u ka dërguar ftesa edhe partive të tjera. Por që kjo ftesë është refuzuar nga PDK-ja.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi për Nacionalen ka thënë se nuk do të shkojë në këto takime që po organizohen nga presidentja Osmani.
Krasniqi ka thënë se takime të tilla nuk prodhojnë asgjë dhe kryeministri i Kosovës është përgjegjës për procesin e dialogut.
“Takimin për të diskutuar, siç thuhet në ftesë: ‘për zhvillimet aktuale, takim konsultativ’ dhe ku mund të flitet edhe për propozimet që lidhen me dialogun nuk kam shkuar jo për arsye të tjera por për faktin që asgjë nuk del dhe as nuk prodhohet gjë nga një takim i tillë. Është kryeministri i Kosovës ai që e ka prerogativën kushtetuese dhe përgjegjësinë ligjore që ta lëvizë përpara për sa i përket procesit të dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin; kjo nënkupton pranimin por edhe refuzimin, apo propozimin alternativ. I takon kryeministrit.” – ka thënë Krasniqi.
Më tej, ai ka thënë se këto takime janë takim konsultative dhe takime të analizave e për të cilat nuk mund të lëshohet në rolin e “analistit”.
Tutje, ai ka rikujtuar qëndrimin e PDK-së, që kjo parti është e hapur që të diskutohet për zgjedhje të reja.
“Pra, takimet që mund t’i mbajmë e që quhen konsultative janë veç takime të analizave. Unë nuk mund të lëshohem në rolin e një analisti për t’u takuar bashkë me presidenten për të dhënë mendime të caktuara të cilat nuk prodhojnë asgjë, sepse prej këtij takimi përtej një kortezie dhe një diskutim të hapur që mund ta kishim, nuk do të kishte efekt ligjor e as politik, asgjë. Kjo është arsyeja që thjesht nuk kam menduar që duhet të shkojmë. Përtej kësaj PDK në korrik ka marrë vendim që ne jemi të hapur për takime ku diskutohet për zgjedhje të reja.” – ka thënë ai.
Deri më tani PDK-ja nuk ka dalë më ndonjë qëndrim zyrtar për draft-statutin e Asociacionit.
Në anën tjetër LDK-ja ka thënë se ky draft përbën rregullim autonom politik për serbët.