Abdixhiku godet Kurtin: “Pushteti i Shpresës” negocoi 781 tenderë në vlerë prej 209 milionë euro pa procedura
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë një postim lidhur me tenderët njëburimorë që janë dhënë gjatë Qeverisë Kurti për të cilët u diskutua dje në Kuvend.
Abdixhiku ka thënë se 781 tenderë në vlerë prej 209 milionë euro janë dhënë “Pushteti i Shpresës” me negocim të drejtëpërdrejtë, pa procedura, pa konkurrencë. Ai ka deklaruar se këto kontrata do t’i trajtojnë ditëve në vijim.
“Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një! Kështu janë ndarë plot 209 milion euro; 781 herë! 30 milion vitin e parë; 70 milion në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka përmendur se si Korporata Energjetike e Kosovës i ka dhënë një biznesi të njëjtë 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë si dhe 15 mlionë euro që ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme me negocim për shërbime të IT’së.
“Në KEK, 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, i janë dhënë një biznesi të njëjtë. 13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë! Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shërbime të IT-së, 15 milion euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë, i janë dhënë një biznesi me një tender. Plot 15 milion euro me muhabet të drejtpërdrejtë; në një fushë me dhjetra biznese me shërbim të njëjtë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se “prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”.