
Abdixhiku bën homazhe te varri i veprimtarit Xhemail Mustafa
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, së bashku me familjarë dhe bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe tek varri i veprimtarit të shquar, Xhemail Mustafa, në 25 vjetorin e vrasjes së tij:
“Në 25 vjetorin e vrasjes të veprimtarit dhe themeluesit të LDK-së Xhemail Mustafa, kujtojmë figurën e tij prej shkrimtarit, publicistit, gazetarit, këshilltarit politik e bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit Rugova si dhe njërin nga kolosët e lëvizjes politike të viteve 90’ta. Si profil shumëdimensional, Mustafa punoi redaktor në fushën e kulturës në gazetën “Rilindja”, pastaj zelli i tij prej një doajeni të gazetarisë e informimi të opinionit publik, vazhdoi edhe në Qendrën Informative të Kosovës(QIK), deri në momentet e vrasjes së tij. Gjurmët dhe kontributi i tij për liri, pavarësi e demokraci janë të përhershme për vendin. Vrasja e tij, në hyrje të banesës, ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për të gjithë vendin, i cili sapo kishte dalë nga lufta. Në këtë përvjetor të tij, dhimbja bëhet edhe më e madhe për familjen, LDK-në dhe bashkëpunëtorët e tij, pasi vrasja e tij mbetet ende e pazbuluar. Kujtimi për Xhemail Mustafën është i përjetshëm!”, ka theksuar Abdixhiku.
